Kuvendi i Kosovës ka emëruar Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Formimi i Komisionit është bërë pasi është verifikuar prezenca e 119 deputetëve në sallë, ndërsa pas kësaj Kuvendi ka shkuar në 30 minuta pushim, për t’i lënë hapësirë komisionit që të verifikojë mandatat dhe të kthehet me raportin, shkruan Zeri.info.
Pas kësaj pike, Kuvendi do të vazhdojë me rendin e ditës e që është betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. /Zëri
Nis seanca konstituive, udhëhiqet nga Dehari dhe Taçi
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Seanca po udhëhiqet nga deputeti më i moshuar, Avni Dehari dhe deputetja më e re Fatma Taçi, shkruan Zeri.info.
Në fillim të seancës, Dehari ka uruar deputetët e rinj dhe ka përshëndetur të gjithë mysafirët e pranishëm në sallë.
Vjosa Osmani në Kuvend si deputete e LDK-së
Ish-presidentja e vendit Vjosa Osmani ka arritur në Kuvend, ku pritet të bëhet konstituimi.
Ajo për herë të parë pas pesë vjetësh ka hyrë në Kuvendi sërish si deputete, pasi ka përfunduar mandatin e saj në Presidencë, shkruan Zeri.info.
Konstituimi i Kuvendit
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancën e konstituimit sot.
Deputetët tashmë kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit, ndërsa të parët që kanë ardhur janë ata nga Grupi Parlamentar i LVV-së, raporton Zeri.info.
Sot në fillim të seancës, do të themelohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të deputetëve të rinj. Pas verifikimit të mandateve, deputetët e zgjedhur do të bëjnë betimin, ndërsa më pas pritet të zhvillohet procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.