Kurti: Takimet me LDK-në nuk janë lajm, ato me PDK-në dhe AAK-në do të ishin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdon të ndërmarrë iniciativa për takime me partitë politike në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
Në një deklarim për media, ai tha se ka marrë parasysh kritikat që i janë bërë gjatë vitit dhe se do të flasë për zhvillime të reja vetëm kur të ketë një marrëveshje konkrete.
“Unë i kam mbajtur shënim të gjitha kritikat që na i kanë dhënë gjatë këtij viti dhe tash natyrisht që po i përfill ato. Edhe më tej, iniciativat për çdo takim jam duke i marrë unë. Unë dua bashkëpunim, prandaj marr iniciativa, prandaj komunikojmë, veçse unë mund të kem lajme të reja atëherë kur të kemi marrëveshje”, tha Kurti.
Ai theksoi se takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk përbëjnë lajm në vetvete, por se një marrëveshje mes palëve do të ishte zhvillimi i rëndësishëm.
“Aktualisht, takimet me LDK-në nuk janë lajme. Lajm do të ishte marrëveshja, por më duhet të pranoj që takimet me PDK-në e AAK-në do të ishin lajm dhe unë uroj të kemi lajme të tilla”, deklaroi Kurti.