Demaku për hedhjen e vezëve ndaj Kurtit: Ishte një mënyrë për të shprehur mllefin ndaj veprimeve të LVV-së
Foto: Laura Hasani

Demaku për hedhjen e vezëve ndaj Kurtit: Ishte një mënyrë për të shprehur mllefin ndaj veprimeve të LVV-së

Aktuale August 10, 2026 - 17:24

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka komentuar veprimin e deputetes Time Kadriaja, e cila hodhi vezë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Demaku e ka cilësuar veprimin e deputetes si një formë për të shprehur mllefin dhe kundërshtimin ndaj mënyrës se si, sipas tij, ka vepruar Lëvizja Vetëvendosje.

“Veprimi i deputetes Time Kadriaja ishte një lloj performance për ta shprehur atë mllef dhe kundërshtinë e fuqishme. Mendoj që ka të drejtë me mënyrën se si ka vepruar Lëvizja Vetëvendosje, Kurti dhe Dehari, duke e shkelur plotësisht Kushtetutën, me vetëdije të plotë”, ka deklaruar Demaku në Dukagjini.

Deputeti i PDK-së ka kritikuar ashpër kryeministrin Kurti, duke e akuzuar se po vepron kundër institucioneve dhe rregullave kushtetuese.

“Jemi dëshmitarë që Albin Kurti, me vetëdije të plotë, është duke vepruar kundër institucioneve të vendit, kundër rregullave se si funksionojnë institucionet e vendit, si dhe duke shpërfillur aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e vendit”, është shprehur ai.

Sipas Demakut, një qasje e tillë e dëmton funksionimin institucional dhe shtetësinë e Kosovës.

“Kjo drejtpërdrejt e minon shtetësinë e Kosovës. Kjo është mënyrë për të ecur drejt anarkisë, kur më nuk jepet përgjegjësi në këtë vend”, ka thënë Demaku.

Ai ka akuzuar Kurtin se Kushtetutën dhe ligjet po i interpreton dhe përdor në funksion të qëllimeve politike.

“Qasja e tij, interpretimi dhe mënyra se si i përdor Kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe rregullat se si funksionojnë institucionet, bëhen në funksion të qëllimeve të tij. Jo përshtatja e tij me rregulla e Kushtetutë, por shfrytëzimi i Kushtetutës dhe ligjeve në funksion të kauzave personale”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Në fund, Demaku është ndalur edhe te vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se zhvillimet aktuale janë të lidhura me një situatë për të cilën, sipas tij, ka pasur paralajmërime edhe më herët.

“Situata është tepër e qartë. Para një viti kemi pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ka ndodhur është me vetëdije të plotë”, ka përfunduar Demaku.