PDK: Afati 30-ditor ka kaluar, po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh
Foto: Laura Hasani

PDK: Afati 30-ditor ka kaluar, po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh

Aktuale August 11, 2026 - 11:55

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke akuzuar LVV-në për shkelje të afateve kushtetuese dhe të rregullave të Kuvendit.

Përmes një reagimi, PDK-ja ka renditur disa pika, për të cilat thotë se sqarojnë situatën aktuale.

Sipas PDK-së, Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Partia opozitare thotë se Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se ky afat nuk nënkupton vetëm nisjen e procesit, por që brenda 30 ditësh Kuvendi duhet të jetë i konstituuar.

PDK-ja i është referuar edhe Rregullores së Kuvendit, e cila, sipas saj, përcakton se deri në përfundimin e seancës konstituive, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet e seancës nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.

“Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh”, ka deklaruar PDK-ja.

Sipas kësaj partie, situata aktuale përbën “suspendim dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës”.

“Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Në fund, PDK-ja ka paralajmëruar se do ta mbrojë rendin kushtetues të Kosovës “me çdo mjet”. /Zëri