Parregullsi në sigurinë në punë, Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Podujevë
Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të punimeve në një objekt ndërtimi në Podujevë, pas konstatimit të parregullsive në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Gjatë inspektimit, zyrtarët kanë evidentuar mangësi në masat e sigurisë, për çka Inspektorati ka nxjerrë vendim për ndalimin e punimeve deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa u ka bërë apel punëdhënësve të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas Inspektoratit, respektimi i këtyre standardeve është i domosdoshëm për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e punëtorëve në vendin e punës. /Zëri