Zjarret në Breznicë vihen nën kontroll, banorët dhe zjarrfikësit në gjendje gatishmërie

Zjarret në Breznicë vihen nën kontroll, banorët dhe zjarrfikësit në gjendje gatishmërie

Aktuale August 12, 2026 - 11:47

Fashti Breznicë e Epërme i Bujanocit me orë të tëra ka luftuar me zjarret gjatë së martës.

Falë angazhimit të banorëve dhe zjarrfikësve, tashmë duke se situata është përmirësuar dhe zjarret janë lokalizuar.

Arif Arifi, përfaqësues i fshatit, ka treguar për “Zërin” se situata tani është më stabile, por se janë në gjendje gatishmërie, pasi rreziku për përhapjen e vatrave të reja të zjarrit ekziston.

“Për momentin gjendja është më stabile, kemi arrit me lokalizua zjarrin, është nën kontroll, janë marrë masa dhe jemi në gjendje gatishmërie nëse përhapen sërish”, ka thënë Arifi për Zeri.info.

Në anën tjetër, banorët kanë treguar se zjarrfikësit janë shpërndarë pranë shtëpive të fshatit dhe me autobote po qëndrojnë në gjendje gatishmërie në rast nevoje.

Një banor tjetër i fshatit, Nazmi Duraku, ka treguar se lokalizimi i zjarreve është bërë i mundur falë angazhimit të banorëve, të cilët për orë të tëra luftuan me zjarrin.

“Pas shumë orësh pune të vështirë, në kushte të rënda dhe duke rrezikuar edhe jetën, arritëm ta lokalizojmë zjarrin në Breznicën e Epërme. Falënderimet dhe mirënjohja u takojnë banorëve të Breznicës, të cilët u angazhuan pa u lodhur për të mbrojtur pasuritë tona natyrore dhe për ta ndalur përhapjen e zjarrit”, shkroi Duraku. /Zëri