IKSHPK-ja mban takim për forcimin e masave për parandalimin e përhapjes së fruthit në Kosovë

IKSHPK-ja mban takim për forcimin e masave për parandalimin e përhapjes së fruthit në Kosovë

Aktuale August 12, 2026 - 18:31

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të Inspektoratit Qendror të Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektoratit Sanitar dhe Inspektoratit të Arsimit, me qëllim forcimin e masave për parandalimin dhe kontrollin e fruthit dhe rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim.

Në takim u theksua nevoja për zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse, si dhe respektimin e kërkesave për vaksinimin e fëmijëve gjatë regjistrimit në institucionet parashkollore dhe në klasën e parë.

Sipas udhëzimeve administrative në fuqi, dëshmia e vaksinimit kërkohet gjatë regjistrimit të fëmijëve në institucionet parashkollore dhe në klasën e parë.

Pjesëmarrësit u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit shëndetësor dhe atij arsimor, me fokus në identifikimin e fëmijëve që nuk janë vaksinuar sipas Kalendarit të Rregullt të Vaksinimit dhe referimin e tyre në njësitë përkatëse për vaksinim plotësues.

Ndërkohë, inspektoratet pritet të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin e zbatimit të këtyre kërkesave nga institucionet përgjegjëse.

IKSHPK-ja ka rikujtuar se vaksinimi në kohë dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë ndër masat kryesore për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndërprerjen e zinxhirit të përhapjes së fruthit.