Aktivizohet prokuroria pasi një mërgimtar bëri thirrje për pushkatimin e Ramush Haradinajt
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime urgjente pas një deklarate të publikuar në rrjete sociale, përmes së cilës dyshohet se është kërcënuar deputeti Ramush Haradinaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP), për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve urgjente lidhur me rastin, raporton Zeri.info.
Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personin përgjegjës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim të identifikimit të personit përgjegjës, zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtejme, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim. Rasti është duke u trajtuar nga organet e rendit dhe të drejtësisë. /Zëri