Kadaj-Bujupi: Aksionet parlamentare në demokraci ndërmerren për kauza madhore
Foto: Laura Hasani

Kadaj-Bujupi: Aksionet parlamentare në demokraci ndërmerren për kauza madhore

Aktuale August 12, 2026 - 20:58

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar lidhur me zhvillimet dhe përplasjet e sotme në Kuvend. Kadaj-Bujupi ka thënë se aksionet parlamentare në demokraci ndërmerren për kauza madhore dhe jo për përplasje fizike mes deputetëve.

Ajo ka kujtuar edhe protestat e opozitës në Kuvend gjatë viteve 2015 dhe 2016, duke thënë se atëherë kundërshtimi lidhej me vendime që, sipas saj, preknin rendin kushtetues dhe integritetin e shtetit. Kadaj-Bujupi ka theksuar se, pavarësisht aksioneve të asaj kohe, deputetët opozitarë nuk kishin përdorur dhunë fizike ndaj kolegëve të tyre.

" Aksionet në parlamente, kudo në botën demokratike, bëhen për kauza madhore. Sepse për temat e tjera deputetët kanë kanale të tjera ku veprojnë dhe komunikojnë. Ato bëhen kur opozita gjendet përballë vendimeve që e ndajnë territorin e vendit ose cënojnë kufijtë. Kur merren vendime që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve, privatizime, shitje të sektorëve strategjikë, vendime që shkaktojnë dëme të mëdha në jetë e mirëqenie. Kur bëhet fjalë për pushtimin e një vendi tjetër, për krime lufte, për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Edhe ne në Kosovë, gjatë viteve 2015 dhe 2016, kemi protestuar ashpër në Kuvend. Kundërshtimi ynë ka rrjedhur nga një varg vendimesh që preknin rendin kushtetues dhe integritetin e shtetit, të marra nga një qeveri që i kishte dy të tretat e votave në sallë", ka shkruar ajo në "facebook".

Ajo ka shkruar se kanë bërë aksione. "Për to jemi arrestuar dhe kemi bërë burg. Disa herë. Pastaj kanë ardhur proceset gjyqësore, që vijojnë ende sot, dhe si rrjedhojë disave prej nesh u është pamundësuar kandidimi në lista zgjedhore. Ama asnjëri prej nesh nuk ka prekur me dorë, nuk ka shtyrë fizikisht dhe nuk është përleshur personalisht me asnjë nga deputetët e qeverisë së asaj kohe. Gazi ka qenë mjeti përmes të cilit është pamundësuar votimi në sallë. Objektivi ishte votimi, jo njeriu. Dhe nuk u ndalëm aty, kauzën tonë e ngritëm para Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli marrëveshjen antikushtetuese. Kaq e thjeshtë. Ideja, objektivi, rruga institucionale dhe përgjegjësia e pranuar para ligjit. Ky është kriteri.Sepse aksioni politik është e kundërta e përplasjes fizike. Ajo që u organizua sot në Kuvend nuk i nënshtrohet të njëjtit kriter", tha ajo.