IKD: Qeveria në detyrë po uzurpon kompetencat kushtetuese dhe ligjore
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se vendimet e miratuara më 12 gusht nga Qeveria në detyrë përbëjnë cenim serioz të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës.
Në një reagim të publikuar më 13 gusht, IKD pretendon se Qeveria në detyrë, e përbërë nga persona që janë zgjedhur deputetë dhe që nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ka vazhduar të ushtrojë kompetenca sikur të kishte mandat të plotë.
Sipas IKD-së, kjo bie ndesh me parimet e sundimit të ligjit.
“Në një shoqëri demokratike, pushteti duhet të ushtrohet vetëm brenda kufijve që përcaktojnë Kushtetuta dhe ligji”, thuhet në reagim.
IKD thekson se neni 72 i Kushtetutës përcakton papajtueshmërinë ndërmjet mandatit të deputetit dhe funksionit ekzekutiv.
Sipas institutit, nga momenti i marrjes së mandatit të deputetit, vazhdimi i ushtrimit të kompetencave qeveritare bie ndesh me ndalesën kushtetuese dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të marra.
IKD i referohet edhe nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, sipas të cilit anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para certifikimit të rezultateve.
“Meqë nuk e kanë bërë këtë, vazhdimi i ushtrimit të funksioneve ekzekutive është në kundërshtim me ligjin”, pretendon IKD.
Sipas IKD-së, më 12 gusht Qeveria në detyrë zhvilloi mbledhje elektronike dhe mori një varg vendimesh me pasoja juridike, institucionale, pronësore dhe buxhetore.
Instituti përmend vendime për qiradhënien e pronës publike deri në vitin 2033, procedura që lidhen me shpronësimin, ndarjen e mjeteve financiare dhe çështje të tjera që, sipas tij, prodhojnë pasoja përtej administrimit të zakonshëm.
IKD kritikon veçanërisht vendimet për themelimin e komisioneve të pranimit për një numër pozitash të larta drejtuese.
Sipas institutit, neni 31 i Ligjit për Qeverinë ia ndalon Qeverisë në dorëheqje inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike, kur kompetenca për emërim i takon Qeverisë.
IKD pretendon se themelimi i komisioneve të pranimit përbën fillimin e procedurave për përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve publike dhe, për këtë arsye, është në kundërshtim me kufizimin ligjor.
Instituti thotë se këto vendime ngrenë dyshime për përpjekje për të ndikuar në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve, përfshirë Thesarin e Kosovës, Agjencinë Qendrore të Prokurimit, Agjencinë për Siguri Kibernetike, Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Në reagim, IKD i referohet edhe një vendimi të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2025, përmes të cilit ishte shfuqizuar një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Financave për pajisjet dhe sistemet fiskale.
Sipas IKD-së, një nga arsyet e vendimit ishte fakti se akti ishte nxjerrë nga një person që, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ushtronte njëkohësisht mandatin e deputetit dhe funksionin e ministrit në detyrë.
IKD vlerëson se ky standard gjyqësor është i zbatueshëm edhe në situatën aktuale.
“Pas certifikimit të rezultateve, deputeti nuk mund të vazhdojë ushtrimin e kompetencave ekzekutive”, thekson instituti.
IKD megjithatë nënvizon se ligjshmëria e secilit vendim duhet të vlerësohet veçmas, duke marrë parasysh natyrën, bazën ligjore dhe domosdoshmërinë e tij.
IKD i ka kërkuar Qeverisë që të ndërpresë menjëherë çdo vendimmarrje që tejkalon aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara.
Instituti kërkon gjithashtu pezullimin e zbatimit të vendimeve të 12 gushtit dhe nënshtrimin e tyre ndaj një shqyrtimi të plotë juridik.
“Vendimet për komisionet e pranimit dhe çdo procedurë e re emërimi duhet të shfuqizohen pa vonesë”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Në përfundim, IKD thekson se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji.
“Kushtetuta nuk është pengesë që pushteti mund ta anashkalojë, ajo është kufiri përtej të cilit ushtrimi i pushtetit humb legjitimitetin. Askush, as edhe një Qeveri në detyrë, nuk ka mandat të veprojë jashtë këtij kufiri”, përfundon reagimi. /Zëri