Haxhiu: Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike

Aktuale August 13, 2026 - 11:48

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit politike në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar që stafi profesional i institucionit të mos përfshihet në këto debate.

Haxhiu ka thënë se mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes bartësve të përgjegjësive politike, ndërsa ka kritikuar opozitën për, siç pretendon ajo, presionin ndaj zyrtarëve profesionalë të Kuvendit.

“Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se, nëse opozita ka vërejtje ndaj punës së saj, ato duhet t’i adresojë drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionalë.

“Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, është shprehur Haxhiu.

Sipas saj, stafi i Kuvendit nuk duhet të trajtohet si pjesë e përplasjeve politike.

“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka dënuar publikisht, siç e ka quajtur, këtë sjellje dhe ka kërkuar që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe përmes rrugëve institucionale.

“Çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit”, ka përfunduar Haxhiu. /Zëri