Deri tani, 50 serbë morën leje qëndrimi të përhershëm në Kosovë
Foto: Zëri

Deri tani, 50 serbë morën leje qëndrimi të përhershëm në Kosovë

Aktuale August 18, 2026 - 08:06

Katër mijë e 533 leje qëndrime të përkohshme e 126 të përhershme janë lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga fillimi i vitit deri më 30 qershor.

Sipas të dhënave statistikore, nga ato të përkohshme dominojnë komuniteti serbë me një mijë e 266 leje qëndrime, derisa edhe të përhershme janë 50 serbë që kanë fituar nga kjo e drejtë.

Mesatarja e leje qëndrimeve në ditë i bie se është dhënë për 9 serbë në ditë, përgjatë kësaj periudhe.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, vlerëson se kjo është pozitive pasi ka filluar integrimi i komunitetit serb në shoqëri.

“Natyrisht nëse kanë historikun e tyre të pastër dhe dëshmojnë se kanë qenë tradicionalisht qytetarë apo banorë të Republikës së Kosovës dhe pas verifikimeve të nevojshme nga institucionet e sigurisë mendoj që është në rregull dhe mund ta shohim si një lloj integrimi dhe pranimi të shtetësisë së Kosovës”, thotë Shkodra për Teve1.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në vend kanë mekanizma të mjaftueshëm në selektimin e dhënies së leje qëndrimeve të shtetasve të huaj.

“Kosova ka institucione të sigurisë mjaft të konsoliduara dhe mendoj se nuk bëhen lëshime të tilla po në rast se ka diku ndonjë lëshim është mirë që edhe opozita të kontribuojë në io identifikimin e personave që nuk meritojnë as leje qëndrimin e cila është e ndryshme nga shtetësia e Kosovës, por as shtetësinë e Kosovës assesi… Të gjithë ata që i nënshtrohen procedurës kalojnë nëpër filtrate e institucioneve të sigurisë dhe janë mjaft rigoroze”, vlerëson ai.

Derisa juristi Hasan Shala thotë se duhet parë me kujdes baza ligjore për dhënien e këtyre lejeve, pasi dëmet mund të jenë të mëdha.

“Këtu duhet vlerësohet, nëse është qëllimi politik i këtyre qytetarëve dhe se këta pa u plotësu kushtet dhe kriteret që i përcakton ligji, miratohet, atëherë konsideroj se është një gabim i madh i MPB-së që i lejon qytetarët të regjistrohen pa u plotësu kriteret apo kushtet që i përcakton ligji”, shprehet juristi Hasan Shala.

Në të dhënat publike të MPB-së shihet se një numër i konsiderueshëm i lejeve është dhënë edhe për shtetas turq.