Rinia e PDK-së kërkon funksionalizimin e institucioneve
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe të martën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Në aksion është bashkuar edhe Rinia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar funksionalizimin e institucioneve.

Përfaqësuesi i Rinisë Demokratike të Kosovës, Resul Suma, tha se të rinjtë nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj bllokimit të institucioneve, duke theksuar pasojat që kjo situatë mund të ketë për të ardhmen e tyre.

“Sot, si i ri i këtij vendi, i jam bashkuar protestës para ndërtesës së Qeverisë, sepse nuk mund të qëndroj indiferent kur institucionet e vendit tim mbahen të bllokuara. Për ne të rinjtë, kjo bllokadë shtetërore ka pasoja reale në jetën dhe të ardhmen tonë. Kur institucionet nuk funksionojnë dhe kur interesi politik e partiak vendoset mbi interesin e shtetit, mesazhi që u dërgohet të rinjve është se këtu nuk ka siguri, stabilitet dhe perspektivë”, tha ai.

Suma tha se vazhdimi i bllokadës institucionale mund të ndikojë edhe në vendimin e të rinjve për të qëndruar ose për t’u larguar nga Kosova.

“Ne jemi brezi që duhet ta ndërtojë jetën në Kosovë, të punojë këtu, të krijojë familje dhe ta zhvillojë këtë vend. Çdo ditë e institucioneve të bllokuara është edhe një arsye më shumë që një i ri ta humbë besimin dhe ta shohë largimin nga Kosova si të vetmen perspektivë. Dhe këtu na lind një pyetje shumë e rëndësishme. Nëse vetë kryeministri nuk e respekton shtetin dhe institucionet e tij, si mund t’i kërkohet një të riu që ta respektojë këtë shtet, ta dojë atë dhe të punojë për të? Si mund t’i kërkohet një polici apo një ushtari që nesër ta rrezikojë jetën për republikën nëse vetë institucionet e republikës përçmohen dhe nënshtrohen ndaj interesit të një individi apo partie?”, tha ai.

Ai kërkoi që institucionet të funksionalizohen dhe që të rinjve t’u krijohet mundësia për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë.

“Nuk duam një Kosovë ku të rinjtë mendojnë vetëm se si të largohen. Duam një Kosovë ku institucionet funksionojnë dhe ku askush, pavarësisht sa pushtet ka, nuk mund të mbajë shtetin peng për interesa politike. Prandaj, mesazhi im është i thjeshtë. Albin Kurti, ndaleni bllokadën. Ejani në kuvend, konstituojeni atë dhe hapini rrugë funksionimit të institucioneve. Mos ua merrni të rinjve edhe shpresën e fundit se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Kosovë”, tha ai.
