Intervenim i rrallë dhe kompleks në QKUK, 23-vjeçarit i hiqet tumori 3.5 kilogramësh
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një intervenim i rrallë dhe kompleks kirurgjik te një pacient 23-vjeçar.
Sipas QKUK-së, pacienti kishte një tumor me përmasa gjigante në kavitetin torakal, rreth 27 centimetra të gjatë dhe 17 centimetra të gjerë, me peshë prej 3.5 kilogramësh, transmeton Zeri.info.
Përmasat dhe lokalizimi i tumorit e kanë bërë ndërhyrjen një sfidë të veçantë për ekipin kirurgjik, për shkak të kompleksitetit të lartë të operacionit brenda kavitetit torakal.
Operacioni është realizuar me sukses nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, nën udhëheqjen e drejtorit të klinikës, dr. Nazmi Kolgeci.
Ndërhyrja është kryer në bashkëpunim me ekipin e anestezionit, të udhëhequr nga anesteziologu dr. Qendrim Morina, si dhe me mbështetjen e stafit të mesëm shëndetësor, përfshirë instrumentarët dhe infermierët.
QKUK-ja ka vlerësuar se ky intervenim dëshmon profesionalizmin dhe bashkëpunimin multidisiplinar të stafit në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale.
Institucioni ka theksuar se puna ekipore, profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj pacientit mbeten bazë për trajtimin e rasteve të rënda dhe komplekse. /Zëri