Vazhdojnë inspektimet në treg për produktet e qumështit
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet në treg, me fokus të veçantë te produktet e qumështit për të cilat Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka evidentuar mospërputhje.
Gjatë kontrolleve në terren janë hasur produkte të cilat, sipas raportit të AUV-it, rezultojnë me mospërputhje. Bëhet fjalë për produktet:
Schmand VITA, 18% – 180 g
Schmand VITA, 18% – 400 g
Schmand VITA, 18% – 800 g
Mushroom Cream Cheese – 200 g
Mazë tradicionale DRENA – 1 kg
Holla Cooking Cream – 1 L
Qumësht MY COW – 3.2%
Mazë tradicionale MILKET – 800 g
Schmand AJKA – 500 g
IQMT ka zhvilluar edhe riinspektime në disa markete, të cilave ditë më parë u ishte urdhëruar tërheqja e produkteve të qumështit me mospërputhje. Gjatë riinspektimeve është konstatuar se operatorët ekonomikë kanë respektuar urdhëresat dhe kanë ndërmarrë masat e kërkuara për largimin e produkteve nga tregu.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë realizuar 23 inspektime në Gjilan, Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë.
IQMT ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi apo produkt të dyshimtë përmes platformës Viber, në numrin për ankesa +383 (0) 46 311-000.