Gjenden eshtrat e 23 individëve gjatë gërmimeve në Zubin Potok
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar për një gjetje të re gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve në një lokacion të dyshuar në Zubin Potok.
Sipas institucioneve, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar, bazuar në vlerësimin preliminar, mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave të tjera përkatëse.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me rastin.
Ndërkohë, për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Të tre ndodhen në paraburgim. Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë deklaruar se janë të përkushtuara që procesi të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur. Institucionet kanë bërë të ditur se çdo zhvillim i ri lidhur me rastin do të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesat e hetimit. /Zëri