NATO: Rihapja e urës duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve
Foto: Laura Hasani

NATO: Rihapja e urës duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve

Aktuale August 21, 2026 - 17:38

Tranzicioni gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it në urën kryesore në Mitrovicë do të jetë i bazuar në kushtet e sigurisë dhe i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë, thanë zyrtarë të NATO-s.

Aleanca vlerëson se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës për qarkullimin e automjeteve duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.

Në një përgjigje nga selia e NATO-s thuhet se ndryshimi i pranisë së KFOR-it në urë po bëhet në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të misionit të NATO-s në Kosovë.

Sipas NATO-s, ky proces po zhvillohet me transparencë të plotë ndaj të gjithë aktorëve të përfshirë.

Nga selia e Aleancës u konfirmua gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është në kontakt të rregullt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarët e NATO-s konfirmojnë se KFOR-i vazhdon të monitorojë zhvillimet në terren dhe mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij.

"KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit. Ai vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe me parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve", thuhet në përgjigjen e Zyrës për Shtyp të NATO-s.

Në përgjigje shtohet gjithashtu se KFOR-i mban një prani të fuqishme dhe të dukshme në veri të Kosovës, në dobi të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb.