Dita e 85-të e protestës në Tiranë për Zvërnecin
Qytetarë u mblodhën këtë të diel në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 85-të kundër investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt godinës së Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin ndaj projektit, ndërsa parashtruan edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Në podiumin e improvizuar, protestuesit morën fjalën dhe paraqitën kërkesat e tyre, mes të cilave dorëheqjen e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë, si dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.
Ata kërkuan gjithashtu ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre përmes referendumit, përfshirë ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Pas fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke përsëritur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec dhe kërkesat e tyre drejtuar institucioneve./atsh