Maqedonia e Veriut ndalon importin e 27.5 tonëve qumësht nga Kosova, shkak aflatoksina mbi normë

Maqedonia e Veriut ndalon importin e 27.5 tonëve qumësht nga Kosova, shkak aflatoksina mbi normë

Aktuale August 25, 2026 - 15:16

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar importin nga Kosova të dy dërgesave me qumësht UHT, me peshë totale prej 27.520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi nivelet maksimale të lejuara.

Sipas njoftimit të Agjencisë, dërgesat janë ndaluar javën e kaluar në pikën kufitare Bllacë, ndërsa qumështi ishte destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në Maqedoninë e Veriut, transmeton Zeri.info.

Sasitë e qumështit të cilësuara si të pasigurta janë asgjësuar nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar në deponinë “Drislla”.

Mostrat për analiza laboratorike nga të dyja dërgesat janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, përmes të cilit kryhen kontrolle ndaj produkteve ushqimore me origjinë shtazore që importohen në vend.

Agjencia ka bërë të ditur se më 17 korrik ka miratuar masa të veçanta të sigurisë për importin e qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur.

Këto masa kanë forcuar kontrollet zyrtare gjatë importit, duke përfshirë analizat e detyrueshme laboratorike dhe verifikimin e përputhshmërisë me kërkesat e cilësisë.

Sipas autoriteteve maqedonase, qëllimi i masave është që në tregun vendas të lejohen vetëm produkte të sigurta dhe cilësore, si dhe të sigurohet konkurrencë e drejtë dhe mbrojtja e prodhuesve dhe konsumatorëve. /Zëri