Shkon turku, vjen italiani në krye të KFOR-it në Kosovë

Shkon turku, vjen italiani në krye të KFOR-it në Kosovë

Aktuale August 25, 2026 - 15:45

Komandanti aktual i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka pritur në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë delegacionin e rotacionit të ardhshëm, KFOR XXXI.

Delegacioni është udhëhequr nga gjeneralmajori italian Roberto Vergori, i cili është caktuar të jetë komandanti i ardhshëm i KFOR-it, transmeton Zeri.info.

Në programin e trajnimit për drejtuesit kryesorë ka marrë pjesë edhe gjeneral brigade Onur Çakici nga Ushtria Turke, i caktuar si zëvendëskomandant i ardhshëm i misionit.

Sipas KFOR-it, programi “Key Leader Training” synon që udhëheqjen e ardhshme ta njohë me stafin dhe procedurat operative të misionit.

Programi ka për qëllim të sigurojë vazhdimësinë e udhëheqjes, ruajtjen e gatishmërisë së lartë operacionale dhe një kuptim të përbashkët të misionit në të gjitha nivelet.

Trajnimi shënon zyrtarisht fillimin e procesit të dorëzim-pranimit ndërmjet udhëheqjes aktuale dhe asaj të ardhshme të KFOR-it.

Procesi pritet të përmbyllet këtë vjeshtë me ceremoninë e transferimit të autoritetit, kur gjeneralmajori Roberto Vergori pritet të marrë zyrtarisht komandën e KFOR-it.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

Misioni thekson se këtë e bën në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për reagimin në fushën e sigurisë. /Zëri