ZKA: Vetëm 52 për qind e nxënësve i konsiderojnë shkollat të sigurta
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për sigurinë në shkolla, ku janë vlerësuar mekanizmat institucionalë për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e rasteve të dhunës dhe çështjeve të tjera të sigurisë në institucionet arsimore.
Një nga gjetjet kryesore të auditimit është se vetëm 52 për qind e nxënësve të anketuar i konsiderojnë shkollat e tyre të sigurta. Ndërkaq, 39 për qind i vlerësojnë ato si pjesërisht të sigurta, ndërsa 9 për qind i konsiderojnë të pasigurta.
Në auditim janë përfshirë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Inspektorati i Arsimit, Policia e Kosovës, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Qendrat për Punë Sociale dhe institucionet shkollore.
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, tha se puna e auditorit publik nuk përfundon me publikimin e raportit, por me zbatimin e rekomandimeve dhe rezultatet që ato sjellin.
“Puna e auditorit publik nuk përfundon me publikimin e një raporti të auditimit, por përfundon atëherë kur ne shohim rezultatet nga puna jonë”, tha Spanca.
Ajo theksoi se siguria në shkolla nuk lidhet vetëm me infrastrukturën apo reagimin pas një incidenti, por edhe me krijimin e një mjedisi ku fëmijët mbrohen nga dhuna dhe bullizmi dhe ku shqetësimet e tyre identifikohen me kohë.
Sipas Spancës, përgjegjësia për sigurinë në shkolla nuk mund t’i atribuohet vetëm një institucioni, por kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve arsimore, komunave, Policisë së Kosovës, Qendrave për Punë Sociale, prindërve dhe shoqërisë në përgjithësi.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, tha se gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së paraqesin një udhëzues për përmirësimin e punës së institucioneve.
“Ne pajtohemi plotësisht që ky sistem i ndërtuar duhet të përmirësohet në kuptimin e zbatimit”, tha Çeku.
Ai theksoi se tashmë ekziston një sistem ligjor dhe institucional për identifikimin, parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës dhe çështjeve të sigurisë në shkolla, por sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i këtyre mekanizmave.
Çeku tha gjithashtu se siguria në shkolla është përgjegjësi e përbashkët e drejtorive të shkollave, këshillave të shkollave, prindërve, Drejtorive Komunale të Arsimit, Ministrisë së Arsimit, Inspektoratit, Policisë, Qendrave për Punë Sociale dhe institucioneve shëndetësore.
Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se siguria në shkolla është një nga prioritetet e Policisë së Kosovës.
“Për ne, siguria në shkolla nuk nënkupton vetëm reagimin pas ndodhjes së një incidenti. Qasja jonë është dhe duhet të mbetet e orientuar mbi të gjitha drejt parandalimit”, tha Hoxha.
Ai bëri të ditur se Policia e Kosovës ka shtuar praninë policore dhe patrullimet në dhe përreth institucioneve arsimore, me fokus të veçantë në shkollat ku vlerësohet se ekziston nevojë më e madhe për prezencë dhe mbështetje.
Sipas Hoxhës, qëllimi është që rreziqet të identifikohen me kohë dhe problemet të adresohen para se të përshkallëzohen.
Raporti i ZKA-së vjen në një kohë kur institucionet kanë nisur edhe proceset për hartimin e Strategjisë së Re të Arsimit, e cila synon të përcaktojë drejtimet e zhvillimit të sistemit arsimor për dekadën e ardhshme.