Kurti viziton punimet në kampusin e ri të universitetit “Nënë Tereza” në Shkup
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zëvendëskryeministrin, Bekim Sali, rektorin e universitetit “Nënë Tereza”, Bekim Fetai, dhe drejtuesit e VLEN-it, Izet Mexhiti e Bilall Kasami, vizituan punimet për ndërtimin e kampusit të ri.
“Investimi më i madh shtetëror në arsim në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe investimi më i madh nga i cili kanë përfituar shqiptarët ndonjëherë, po merr formë përmes ndërtimit të kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Në fazën e parë pesëvjeçare do të investohen 40 milionë euro, ndërsa në fazën pasuese edhe 20 milionë euro të tjera. Ky investim do t’u ofrojë mbi 5.000 studentëve dhe më shumë se 200 mësimdhënësve kushte bashkëkohore për mësimdhënie e studim, punë praktike, inovacion dhe kërkim shkencor”, tha kryeministri Kurti.
Kampusi do të ndërtohet në hapësirën ku dikur ndodhej kazerma e Armatës Popullore Jugosllave “Marshall Tito”. Një hapësirë e së kaluarës ushtarake do të shndërrohet në një qendër të arsimit, dijes dhe edukimit, të shkencës, humanizmit dhe të ardhmes evropiane.