Situata me zjarret, 5 vatra aktive në Shqipëri

Situata me zjarret, 5 vatra aktive në Shqipëri

Aktuale August 29, 2026 - 23:50

Sipas informacionit operacional të përditësuar më 29.08.2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën mbikëqyrje. 

Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Vatra në Dajt, Qafë-Priskë, ka riaktivizime; në operacion janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse/AZM, 20 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.Në Vajkal, Bulqizë, zjarri vijon në një sipërfaqe të gjerë me shkurre e dëllinja, ku janë përqendruar forcat; janë angazhuar 31 forca vendore/vullnetare, 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter, raporton a2cnn.

Në Sllatinë, Dibër, vijon aktive vatra në sipërfaqe pyjore, ku kanë operuar 78 forca në terren dhe 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara.

Aktive mbeten gjithashtu vatra në Qafë të Helmës, Bulqizë, e cila po monitorohet pa zhvillime dhe pa rrezik për banesat, si dhe vatra në Kroi i Madh, Krujë, ku po punohet me 2 automjete zjarrfikëse dhe situata është drejt normalizimit dhe shuarjes së plotë.

Në malin e Dardhës, Librazhd dhe malin e Qukësit, Prrenjas, vatrat mbeten nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarret në Komsi, Mat dhe Delisuf, Vlorë, janë shuar plotësisht.