Konjufca merr pjesë në Samitin e Forumit të Ishujve të Paqësorit
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në Takimin e 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit (PIF), i cili po mbahet në Koror të Palaut, nga 30 gushti deri më 4 shtator 2026.
Sipas njoftimit, pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë forum të rëndësishëm rajonal përbën një mundësi të vlefshme për forcimin e marrëdhënieve me shtetet e Paqësorit, zgjerimin e angazhimit diplomatik në rajon dhe avancimin e bashkëpunimit në çështje me interes të përbashkët.
Gjatë qëndrimit në Palau, Konjufca do të zhvillojë takime me krerë shtetesh dhe qeverish, ministra të punëve të jashtme dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve pjesëmarrëse. Përmes takimeve dypalëshe dhe angazhimeve në margjinat e Samitit, synohet forcimi i marrëdhënieve ekzistuese, krijimi i partneriteteve të reja dhe zgjerimi i hapësirave për një bashkëpunim më të strukturuar, përmbajtjesor dhe afatgjatë me vendet e Paqësorit.
“Përmes këtij angazhimi, Republika e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare të mbështetura në barazinë sovrane, respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin paqësor dhe respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Duke u mbështetur në përvojën e saj të shtetndërtimit dhe angazhimit ndërkombëtar, vendi ynë synon të japë një kontribut konstruktiv në forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe popujve.”, thuhet në njoftim.
“Diskutimet në kuadër të PIF-it përfshijnë qëndrueshmërinë ekonomike, veprimin klimatik, qeverisjen e oqeaneve dhe të peshkimit, sigurinë rajonale, reformën institucionale dhe forcimin e unitetit të Paqësorit. Republika e Kosovës e njeh rëndësinë globale të prioriteteve të Paqësorit të Kaltër dhe është e gatshme që, në përputhje me kapacitetet e saj dhe nevojat e vendeve të rajonit, të kontribuojë në fusha si qëndrueshmëria klimatike, gatishmëria ndaj fatkeqësive, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e burimeve natyrore.”, thuhet tutje.
Me të tjerash thuhet se synohet avancimi i mundësive konkrete të bashkëpunimit në arsim, ngritjen e kapaciteteve të sektorit publik, siguri, zhvillim digjital dhe shkëmbime ndërinstitucionale, në përputhje me prioritetet dhe nevojat e vendeve të Paqësorit.
“Diplomacia kulturore, bashkëpunimi arsimor dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve përbëjnë gjithashtu një dimension të rëndësishëm të këtij angazhimi. Përmes shkëmbimeve kulturore, akademike dhe profesionale synohet forcimi i mirëkuptimit të ndërsjellë, miqësisë dhe lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet popullit të Republikës së Kosovës dhe popujve të Paqësorit.”, bëhet e ditur në njoftimin e MPJD-së.
Pjesëmarrja në Samitin e PIF-it pasqyron gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të zhvilluar një angazhim më të fuqishëm dhe afatgjatë me rajonin e Paqësorit, të mbështetur në respektin e ndërsjellë, interesat e përbashkëta, solidaritetin dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme.