Pa marrëveshje për president
Foto: Laura Hasani

Pa marrëveshje për president

Aktuale August 30, 2026 - 21:29

Përfundimi i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihet si një nga çështjet më të rëndësishme për zhbllokimin institucional të vendit.

Pas takimit të fundit mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se shpreson që marrëveshja do të arrihet sa më shpejt.

“Unë uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara. Le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për këtë proces të rëndësishëm”, tha Haxhiu.

Ndërkohë analistët e intervistuar kanë dyshime rreth mundësisë që një kandidat për president të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.

Analisti politik, Sadik Zeqiri, thotë për RTK, se brenda LDK-së mund të ketë deputetë që nuk do ta mbështesin kandidatin e propozuar nga Vetëvendosje. Sipas tij, faktori kohë mund të jetë vendimtar.

Ndërkaq, analisti Ejup Gojnovci e sheh me shqetësim faktin që emrat për president po ndryshojnë nga një takim në tjetrin.

Gojnovci thotë se edhe nëse dy subjektet politike arrijnë një marrëveshje për parimet dhe emrin e kandidatit, kjo nuk do të thotë automatikisht se Kosova do të ketë president të ri.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të flasë ose nuk mund të garantojë të gjithë numrat, votat në Kuvend, të të gjithë deputetëve të saj. Prandaj, unë mendoj që dita kritike do të jetë kur ne do ta marrim vesh nëse do të kemi president ose jo. Do të jetë dita kur do të futet në votim emri i kandidatit”, tha ai.

Gjatë javës që po hyjmë, mbetet të shihet nëse takimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së do të prodhojnë një marrëveshje konkrete dhe nëse ajo marrëveshje do të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri./rtk