LDK-ja me unanimitet miraton marrëveshjen politike dhe mbështet Bekim Sejdiun për President
Foto: Laura Hasani

LDK-ja me unanimitet miraton marrëveshjen politike dhe mbështet Bekim Sejdiun për President

Aktuale September 01, 2026 - 16:04

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar në mënyrë unanime marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e saj, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në mbështetje të autorizimeve të dhëna nga Kuvendi i partisë dhe në përputhje me përgjegjësitë statutare të Kryesisë.

“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”, thuhet në deklaratë.

Sipas LDK-së, marrëveshja nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e presidentit, por edhe me tejkalimin e krizës institucionale, ruajtjen e institucioneve të Republikës dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional.

“Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë”, thuhet në deklaratë.

Partia e ka vlerësuar Sejdiun si një personalitet me integritet, përgatitje profesionale dhe përvojë institucionale. Në këtë kuadër, LDK-ja ka theksuar se ai është jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas LDK-së, përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në përfaqësimin diplomatik të Kosovës përbën bazë për ushtrimin, siç thuhet, të pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së Presidentit.

“Kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në deklaratë.

Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të partisë që gjatë procesit të votimit të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të LDK-së, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë e tyre si përfaqësues të partisë.

LDK-ja ka theksuar se në çështjet që lidhen me stabilitetin dhe të ardhmen institucionale të Kosovës, përgjegjësia ndaj Republikës duhet të jetë mbi konsideratat e tjera.

Në fund, partia ka deklaruar se do të vazhdojë të veprojë me “maturi, unitet dhe përgjegjësi”, duke vendosur, siç thuhet, interesin e Republikës së Kosovës mbi të gjitha./Zëri