BE: Formimi i institucioneve do t’i mundësonte Kosovës të përfitojë nga Plani i Rritjes
Foto: Laura Hasani

BE: Formimi i institucioneve do t’i mundësonte Kosovës të përfitojë nga Plani i Rritjes

Aktuale September 02, 2026 - 10:43

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për vazhdimin pa vonesa të procesit të konstituimit të institucioneve në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës, vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese dhe sundimit të ligjit.

Në një përgjigje për Front Online, një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se formimi i institucioneve do t’i mundësonte Kosovës të përfitonte plotësisht nga mundësitë që ofron rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe ato në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Formimi i institucioneve do t’i mundësonte Kosovës të përfitonte plotësisht nga mundësitë që ofron rruga e anëtarësimit në BE, përfshirë edhe ato në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja ka theksuar gjithashtu se Kosova ka nevojë për dialog efikas dhe konstruktiv ndërmjet partive politike, si dhe për një qëllim të përbashkët, në mënyrë që të mund të avancojë drejt objektivave të saj dhe të zbatojë reformat e kërkuara nga qytetarët.

“Ritheksojmë se vetëm një dialog efikas dhe konstruktiv ndërmjet partive, si dhe një qëllim i përbashkët, do t’i mundësojnë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së.

Në përgjigje Bashkimi Evropian ka vënë theks të veçantë edhe te respektimi i Kushtetutës dhe jurisprudencës detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

“Respektimi i Kushtetutës, i jurisprudencës detyruese të Gjykatës Kushtetuese, i sundimit të ligjit dhe i qeverisjes së mirë kërkon që procesi i konstituimit të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, me të gjithë aktorët që përmbushin përgjegjësitë e tyre përkatëse”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Deklarata e BE-së vjen në kohën kur procesi i formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës mbetet në fokus të zhvillimeve politike në vend.