Kush është ish-gjyqtari Bekim Sejdiu, kandidati i propozuar për president?
Foto: Laura Hasani

Kush është ish-gjyqtari Bekim Sejdiu, kandidati i propozuar për president?

Aktuale August 31, 2026 - 13:48

Bekim Sejdiu është emri për të cilin janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e presidentit të Kosovës.

Image

Më poshtë është biografia e Sejdiut, e marrë nga Gjykata Kushtetuese:

Bekim Sejdiu (1974) është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Image

Para emërimit gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese (prill 2015), gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Në këtë cilësi, ai ka shërbyer si ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014) Para se të caktohej ambasador, gjyqtari Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Image

Gjyqtari Sejdiu ka përfunduar studimet juridike në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (1999). Ai ka përfunduar dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit (2005), dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001). Gjyqtari Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.

Në të gjitha angazhimet e tij publike, gjyqtari Sejdiu ka qenë ngushtë i lidhur me përpjekjet për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, duke qenë kësisoj pjesë e grupit themelues dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED (2002-2008). Në vitet 2000-2002, ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.

Image

Gjatë veprimtarisë së tij publike, gjyqtari Sejdiu është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh, si: Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut (SHBA), Çelësin e qytetit Worcester (Massachusetts, SHBA) dhe Medaljen nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë.

Duke qenë pjesë aktive në mësimdhënie universitare, gjyqtari Sejdiu ka ndjekur vizita studimore në universitete të ndryshme të Evropës dhe të SHBA-së. Ka botuar një numër punimesh akademike në revista të ndryshme shkencore, ndërkombëtare dhe vendore.