Gashi: Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet t’i kthehet shtetit dhe të dëmtuarve

Gashi: Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet t’i kthehet shtetit dhe të dëmtuarve

Aktuale September 03, 2026 - 16:07

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit dhe krimeve komplekse nuk mund të kufizohet vetëm te ndjekja penale, por duhet të përfshijë edhe hetimet financiare dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Gashi i bëri këto deklarata në takimin për shkëmbimin e përvojave mbi hetimet financiare, konfiskimin në rastet e korrupsionit dhe funksionet e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, të organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me UNDP-në, UNODC-në dhe Institutin e Bazelit për Qeverisje.

Sipas tij, për një luftë efektive kundër korrupsionit është e domosdoshme që pasuria e krijuar përmes veprimtarisë kriminale të identifikohet dhe të ndiqet në aspektin financiar.

“Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet të gjurmohet, të sekuestrohet dhe të konfiskohet përfundimisht dhe të ardhurat e fituara në mënyrë të kundërligjshme t’i kthehen shtetit dhe të dëmtuarve që kanë pësuar nga veprimtaritë kriminale”, ka deklaruar Gashi.

Kryeprokurori e vlerësoi takimin si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe vendeve pjesëmarrëse, si dhe për shkëmbimin e përvojave, ekspertizës dhe praktikave profesionale në fushën e hetimeve financiare, sekuestrimit, konfiskimit dhe rikthimit të aseteve.

Në takim morën pjesë kryeprokurorë dhe prokurorë nga Kosova, përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), prokurorë të Prokurorisë Kantonale të Sarajevës, si dhe udhëheqës të Zyrave për Rikthimin e Aseteve nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina./Zëri