Vuçiqi vazhdon me propagandë, e paraqet “Marshin për Liri” si kërcënim
Në prag të vendimit për ish-krerët e UÇK-së, 12 shtatori pritet ta bashkojë Kosovën në shesh, në Marshin për Liri ‘Kosova po Pret’. Por, para se qytetarët të marshojnë, Beogradi ka nisur ta shfrytëzojë këtë mobilizim si mjet propagande. Aleksandar Vuçiq po përpiqet që këtë marsh paqësor ta paraqes si kërcënim dhe presion ndaj drejtësisë në Hagë, duke tentuar ta shtrembërojë mesazhin e tij dhe mbështetjen qytetare për UÇK-në.
Në prag të vendimit që pritet të vulosë fatin e ish-krerëve të UÇK-së, Kosova bëhet bashkë. Më 12 shtator, zëri i saj pritet të jehojë fuqishëm nga sheshet e kryeqytetit, ku të rinj e të moshuar do të bashkohen në marshin për liri, nën moton ‘Kosova po pret’.
Ky marsh synon të përcjellë një mesazh të fuqishëm mbështetjeje dhe solidariteti për ata që përfaqësojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së Kosovës. Por, kreu i shtetit i cilit ka deponuar dosje kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, këtë marsh të paralajmëruar në Prishtinë e ka kthyer në instrument të propagandës së Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka paraqitur tubimin si presion ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, madje duke pretenduar se nga Prishtina po paralajmërohet dhunë nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk lirohen.
“Jam shumë i shqetësuar sepse shqiptarët kanë caktuar një ‘Marsh për Liri’, siç e kanë quajtur, për 12 shtatorin, duke pritur që Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët të lirohen. Ata paralajmërojnë dhunë dhe ushtrojnë presion ndaj gjykatës nëse kjo nuk ndodh", ka deklaruar Vuçiq.
Por, këto deklarata të Vuçiqit, në organizatën e Veteranëve të UÇK-së, shihen si një narrativë që synon ta paraqesë çdo mobilizim qytetar në Kosovë si kërcënim, ndërsa vetë procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si një çështje që duhet të prodhojë domosdoshmërisht dënime.
“Arsyeja është që të kontestohet lufta jonë, të kontestohet përkrahja ndërkombëtare, të kontestohet NATO, të kontestohet e gjithë kjo e arritur e populli tonë deri sot. Prandaj, kjo është një propagandë e egër që me çdo kusht kërkon dënimin e tyre sepse dënimi i krerëve të UÇK-së është dënim i pavarësisë së Kosovës, është dënim i shtetësisë, i historisë dhe i luftës tonë", tha Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL të UÇK-së.
E ata që merren me luftën hibride dhe propagandën e vazhdueshme të Serbisë thonë se duhet të artikulohet qartë qëndrimi i Kosovës për luftën e UÇK-së, të mbrohet e vërteta historike dhe të kundërshtohen narrativat që synojnë ta paraqesin luftën çlirimtare si projekt kriminal.
"Do të duhej të organizoheshim si shoqëri në rrjete sociale, në media, në institucione të ndryshme, të cilat do të deklaronin të vërtetën për UÇK-në për mbrojtjen e tyre për mbrojtjen e drejt të luftë së UÇK-së dhe pafajësinë e Kosovës si tërësi, e mbi të gjitha edhe duke përmendur vendimin e GJND-së, e cila ka dhënë verdiktin dhe një opinion pro Kosovës me kërkesën e vet Serbisë”, tha Gurakuç Kuçi nga Instituti ‘Octopus’.
Sidoqoftë, 12 shtatori pritet të jetë pikërisht shprehje e këtij qëndrimi , një mobilizim paqësor në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, por edhe një mesazh se historia e Kosovës nuk mund të përcaktohet nga narrativat e Beogradit./RTK