Vazhdon aksioni për peshën e bukës, 60 furrtarë kërkojnë verifikimin e peshoreve
Agjencia e Metrologjisë e Kosovës (AMK), në bashkërendim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), po vazhdon aksionin e inspektimeve te operatorët ekonomikë që merren me prodhimin dhe shitjen e bukës në Kosovë.
Inspektimet, të nisura më 25 gusht kanë për qëllim kontrollin e peshës së bukës dhe verifikimin e afatit të vlefshmërisë së peshoreve që përdoren në furra, me synim mbrojtjen e konsumatorëve nga mashtrimet dhe sigurimin e matjeve të sakta.
Aksionet e përbashkëta të AMK-së dhe IQMT-së fillimisht janë zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, ndërsa inspektimet kanë vazhduar edhe më 1 dhe 3 shtator, transmeton Zeri.info.
Si rezultat i interesimit të shtuar të operatorëve ekonomikë, AMK-ja ka pranuar 60 kërkesa nga furrtarët për verifikimin e peshoreve gjatë ditëve të fundit.
Sipas AMK-së, inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe do të shtrihen edhe në komuna të tjera të Kosovës.
AMK-ja dhe IQMT-ja u kanë bërë thirrje të gjithë furrtarëve të kujdesen për verifikimin me kohë të peshoreve, të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë kërkesat ligjore.
Qëllimi i aksionit, sipas institucioneve, është garantimi i mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimi i drejtë i tregut. /Zëri