Myftiu Tërnava kërkon nga Prokuroria Speciale zbardhjen e dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”
Foto: Laura Hasani

Myftiu Tërnava kërkon nga Prokuroria Speciale zbardhjen e dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”

Aktuale September 04, 2026 - 15:34

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përmes përfaqësuesit ligjor të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), i është drejtuar me kërkesë zyrtare Prokurorisë Speciale për zbardhjen e plotë të çështjes së një dokumenti të pretenduar si “Top Secret 2”.

Sipas BIK-ut, dokumenti pretendohet se është nxjerrë nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli.

Në kërkesën drejtuar kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, BIK-u kërkon sqarimin e origjinës, autenticitetit, mënyrës së sigurimit dhe publikimit të dokumentit, si dhe rrethanave në të cilat pretendohet se ai është nxjerrë nga telefoni i Shehollit, transmeton Zeri.info.

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes kësaj kërkese zyrtare, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si ‘Top Secret’, përfshirë origjinën, autenticitetin, mënyrën e sigurimit dhe publikimit të tij, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli”, thuhet në kërkesë.

Sipas BIK-ut, përmbajtja e pretenduar e dokumentit dhe deklaratat e bëra publike në lidhje me të e paraqesin institucionin në një dritë që, sipas tyre, nuk përputhet me realitetin.

Në kërkesë thuhet se BIK-u është paraqitur si institucion nën ndikimin e shërbimeve të huaja të sigurisë, ndërsa xhamitë dhe medresetë si institucione të financuara për qëllime destabilizuese.

“Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme, të cilat cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe dinjitetin e institucionit tonë, të imamëve, teologëve dhe besimtarëve tanë”, thuhet në kërkesën e BIK-ut.

Përmes kësaj kërkese, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kërkon nga Prokuroria Speciale që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht origjinën, autenticitetin dhe përmbajtjen e dokumentit, si dhe mënyrën se si ai është siguruar dhe publikuar.

BIK-u thotë se zbardhja e plotë e këtyre rrethanave është e nevojshme për të eliminuar dyshimet dhe për të sqaruar të vërtetën lidhur me dokumentin e pretenduar. /Zëri