Kurti për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës: Një jetë e tërë njerëzore e shkuar nën aktivizëm, u shua sot
Foto: Facebook

Kurti për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës: Një jetë e tërë njerëzore e shkuar nën aktivizëm, u shua sot

Aktuale September 15, 2026 - 18:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-deputetes dhe aktivistes së njohur, Flora Brovina, e cila vdiq në moshën 76-vjeçare.

Kurti, përmes një postimi, ka vlerësuar kontributin e gjatë të Brovinës në jetën publike, humanitare dhe politike të Kosovës.

“Një jetë e tërë njerëzore e shkuar nën aktivizëm, u shua sot”, ka shkruar Kurti, duke e përshkruar Brovinën si një figurë që la pas “një trashëgimi të gjatë dhe të ngjeshur me përpjekje dhe angazhime humanitare edhe politike”.

Flora Brovina kishte lindur në Skenderaj më 30 shtator 1949. Ajo studioi mjekësinë fillimisht në Beograd dhe më pas i përfundoi studimet në Prishtinë, duke u specializuar në pediatri. Më vonë, ajo u specializua edhe si pediatre klinike në Zagreb.

Gjatë karrierës së saj, Brovina punoi edhe si gazetare për shëndetësi dhe çështje sociale në gazetën “Rilindja”, ndërsa pas diplomimit ushtroi për vite profesionin e pediatres.

Në vitin 1992, ajo themeloi organizatën Lidhja e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua për mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe për ofrimin e ndihmave humanitare dhe mjekësore.

Sipas Kurtit, gjatë viteve ’90 Brovina u shndërrua në një nga aktivistet më të shquara shqiptare në Kosovë, duke organizuar protesta të grave kundër regjimit të atëhershëm serb dhe duke u angazhuar edhe si mjeke në strukturat mjekësore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një nga periudhat më të rënda të jetës së saj ishte viti 1999. Më 20 prill, ajo u arrestua nga policia serbe dhe u burgos. Në ditët e fundit të luftës, Brovina u transferua në Serbi së bashku me mbi 2,000 shqiptarë të tjerë.

Ajo u dënua më 9 dhjetor 1999 nga një gjykatë në Nish me 12 vjet burgim, ndërsa pas presionit ndërkombëtar, përfshirë atë të organizatave për të drejtat e njeriut dhe Parlamentit Evropian, u lirua më 1 nëntor 2000, pas 19 muajsh në burg.

Kurti ka kujtuar edhe çmimet dhe mirënjohjet e shumta që Brovina mori gjatë jetës së saj për veprimtarinë humanitare dhe aktivizmin.

Ajo ishte gjithashtu deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura, nga viti 2001 deri më 2019, dhe ishte një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Kurti ka theksuar se Brovina do të mbetet pjesë e historisë së Kosovës.

“Flora Brovina, do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe do të njihet nga historia e vendit tonë për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe politike”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e Brovinës, bashkëveprimtarët e saj dhe qytetarët e Kosovës.

“Ngushëllime familjes Brovina, bashkëveprimtarëve të saj dhe gjithë qytetarëve të Kosovës!”, thotë postimi i kryeministrit.