Sot, beteja e fundit e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

Sot, beteja e fundit e UÇK-së

Aktuale September 16, 2026 - 07:43
Kosova në pritje të vendimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, me seli në Hagë, sot do ta shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Seanca në Hagë do të nisë në orën 10:00, ndërsa në Kosovë transmetimi i deklarimit në sallën e gjyqit do të bëhet me 10 minuta vonesë. Sipas njoftimit të Speciales, seanca pritet të zgjasë rreth dy orë.

Nga Qeveria e Kosovës, në Hagë për ta përcjellë seancën pritet të jenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Aktgjykimi do të shpallet pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth gjashtë vjet. Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria pretendon se ata kishin autoritet të mjaftueshëm për të marrë pjesë në një plan të përbashkët kriminal. Në anën tjetër, mbrojtja argumenton se UÇK-ja ishte një forcë guerile e decentralizuar dhe se pushteti real shpesh ishte në nivel lokal.

Pritja për aktgjykimin ka nisur që dje edhe në Prishtinë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë kaluar natën për ta pritur vendimin e sotëm, i cili pritet të jetë një vendim tejet i rëndësishme për vendin.

Edhe qytetarët që kanë ardhur në Hagë kanë nisur të mblidhen për të ndjekur në ambient të hapur shpalljen e aktgjykimit të Gjykatës Speciale.