Familjari i Thaçit: Presim gëzimin më të madh, besojmë se sot do të lirohen
Një familjar i ish-presidentit Hashim Thaçi, Halim Thaçi, ka shprehur pritjen që aktgjykimi i sotëm në Hagë të përfundojë me lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se kjo ditë pritet të jetë historike për familjen Thaçi dhe Kosovën, duke theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së, sipas tij, janë të pafajshëm.
“Sot jemi tu e prit gëzimin më të madh për ne familjen edhe për krejt Kosovën. Ka me qenë i lirum edhe ka me qenë ditë historike kjo ditë. Presim sa më parë të pafajshëm bre kanë shku, të pafajshëm janë. Gjë s’kanë bërë krime. Edhe presim lirimin e tyre inshallah na gëzon Zoti qitashti nga 10:00 ora”, tha ai për Klan Kosova.

Sot Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj tyre.
Seanca është caktuar të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.
Ajo do të transmetohet edhe përmes platformave të Dhomave të Specializuara, me dhjetë minuta vonesë dhe në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte. Të katër janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Pas më shumë se dy vjetësh të paraqitjes së provave, dëshmive dhe argumenteve të palëve, faza e provave u mbyll më 18 dhjetor 2025.
Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt të këtij viti.
Gjatë procesit kanë dëshmuar 134 dëshmitarë. Prej tyre, 125 janë thirrur nga Prokuroria, dy nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë nga ekipet e Mbrojtjes. Në proces marrin pjesë edhe 156 viktima.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

