LIVE |Trupi gjykues: Krasniqi ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Trupi gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi dha kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në zbatimin e politikës së shënjestrimit të personave të konsideruar kundërshtarë.
Sipas gjykatësit Charles Smith, përmes publikimit të komunikatave, deklaratave politike dhe urdhrave, Krasniqi inkurajoi kryerjen e krimeve kundër personave të konsideruar kundërshtarë.
Trupi gjykues: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve

Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.
Trupi gjykues: Thaçi dhe Veseli ishin anëtarë kyçë në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi dha një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi ishte anëtar kyç në zbatimin e këtij qëllimi.
Ai dhe të akuzuarit e tjerë emëruan persona besnikë në pozita të ndryshme për të ruajtur kontrollin brenda UÇK-së gjatë gjithë periudhës përkatëse, shtoi Smithi.
Sipas tij, shumë prej këtyre personave kryen krime ose ishin në dijeni të kryerjes së tyre.
Trupi gjykues konstatoi po ashtu se Kadri Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në realizimin e tij.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli veproi së bashku me të akuzuarit e tjerë në zbatimin e këtij qëllimi.
Trupi gjykues: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Trupi gjykues tha se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata, përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për kryesit e krimeve.
Gjykata: Në shënjestër të UÇK-së ishin edhe persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka konstatuar se, në mesin e personave të shënjestruar, ishin edhe anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike apo ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.
Sipas konstatimeve të gjykatës, në këtë grup përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të komuniteteve etnike, përfshirë serbë dhe romë.
Trupi gjykues ka konstatuar se, ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Konstatimet lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte po paraqiten nga gjyqtari Charles Smith.
Trupi gjykues: U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura

Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës - të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Trupi gjykues konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.
Trupi gjykues: U vërtetua ndalimi i paligjshëm i së paku 385 personave
Trupi gjykues ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë se ishte kryer krimi i luftës i arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.
Gjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë konstatimet e trupit gjykues për krimet e pretenduara në aktakuzë.
Hidhet poshtë akuza për krime kundër njerëzimit

Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.
Ai po lexon përmbledhjen e aktgjykimit në seancën publike në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Nis seanca për shpalljen e aktgjykimit

Në këto çaste në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për shkak të vonesës prej 10 minutash në transmetimin publik, pamjet nga salla e gjyqit pritet të bëhen të qasshme nga ora 10:10.