Gëzimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në momentin kur Gjykata hodhi poshtë akuzën për krime kundër njerëzimit
Qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë reaguar me gëzim pas deklaratës së kryegjyqtarit Charles Smith gjatë seancës vendimtare në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Smithi deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur gjerësisht ndaj popullatës civile, si një nga kushtet për të konstatuar krime kundër njerëzimit.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”.
“ZPS nuk arriti të vërtetojë jashtë dyshimit të arsyeshëm që ky sulm u drejtua kundër një popullate civile”, tha Smith.

Pas këtyre deklaratave, qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbeu” kanë shprehur gëzimin e tyre, ndërsa seanca në Hagë po vazhdon.