“Sot e morëm lajmin për kufomën e parë”, dhimbja e familjes Mëziu pas 27 vjetësh
Foto: Laura Hasani

“Sot e morëm lajmin për kufomën e parë”, dhimbja e familjes Mëziu pas 27 vjetësh

Aktuale September 19, 2026 - 20:21

“Sot e morëm lajmin për kufomën e parë. E pritshme, por shumë e dhimbshme.”

Kështu e përshkruan Nazif Mëziu nga Morina e Skënderajt ditën kur familja e tij mori lajmin se ADN-ja e Salih Mëziut është konfirmuar.

Salihu është njëri nga 23 intelektualët nga Mitrovica dhe Skënderaj, të zhdukur më 19 prill të vitit 1999, gjatë rrugëtimit nga Kotorri i Skënderajt drejt Malit të Zi.

Nazif Mëziu, i cili e ka Salihun djalë të axhës, thotë se në grupin e të zhdukurve janë dhjetë anëtarë të familjes së tij, përfshirë edhe tre vëllezërit e tij.

Për familjen Mëziu, kjo e shtunë është ditë zie, thotë Nazifi, por tashmë, pas më shumë se 27 vjetësh pritjeje, “ky është realiteti”.

Rreth orës 11:00, Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka vizituar familjen e Salih Mëziut, bashkëshorten dhe djalin e tij, për t’ua kumtuar lajmin për identifikimin.

Familjarëve u është dhënë edhe shpresa se së shpejti mund të konfirmohen edhe mbetjet mortore të pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi.

Klan Kosova mëson se, përveç Salih Mëziut, në laboratorët e Hagës është konfirmuar ADN-ja edhe për Adem Beqirin dhe Idriz Rrecajn.

Bëhet fjalë për një grup prej 28 personash që më 19 prill 1999 morën rrugën nga Kotorri i Skënderajt, nëpër bjeshkët e Kopaunikut, me synim për të dalë në Mal të Zi.

Idriz Rrecaj, Adem Ademi, Adem Beqiri, Ali Halitaj, Hasan Dërvari, Sahit Berani, Demir Ahmeti, Fatmir Fazlia, Shaip Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Faton Ujkani, Shkëlzen Ujkani, Shaqir Mëziu, Samir Mëziu, Xhemail Mëziu, Salih Mëziu, Naser Mëziu, Zymer Mëziu, Tahir Mëziu, Xhevdet Mëziu, Selim Mëziu, Bekim Mëziu, Faruk Spahiu, Xhevat Zejnullahu, Ismet Verizi, Xhafer Behrami dhe Shaban Abazi.

Disa prej tyre ishin vëllezër. Disa të tjerë baba e bir.

Pesë prej tyre arritën të mbijetonin. Për 23 të tjerët, ajo natë ishte e fundit.

Gjurmët e tyre u humbën në male. Pas tyre mbetën familjarë që për më shumë se 27 vjet jetuan mes shpresës dhe dhimbjes, pa e ditur se ku ndodheshin të afërmit e tyre.

Katër vjet pas ngjarjes, një serb, Ranko Tepavac, do t’u tregonte hetuesve për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e tyre në mënyrë të fshehtë në zonën e Kalludrës së Vogël dhe Jabukës.

Dëshmia e Tepavacit ishte marrë nga UNMIK-u dhe Policia e Kosovës në vitin 2003.

Megjithatë, për më shumë se dy dekada, 23 emrat mbetën pa një përgjigje përfundimtare. Deri tani. Pas më shumë se 25 vjetësh, toka në Kalludrën e Vogël dhe Jabukë është hapur.

Varreza masive është gjetur. Gërmimet kanë përfunduar dhe nga lokacionet janë nxjerrë mbetje mortore.

Mostrat e ADN-së janë dërguar në Hagë për verifikim. Dhe tashmë kanë ardhur edhe identifikimet e para.

Ndërkohë, hetimet penale për këtë rast po vazhdojnë.

Policia e Kosovës, nën direktivat e Prokurorisë Speciale, deri tani ka arrestuar katër persona të dyshuar për vrasjen dhe varrosjen e grupit prej 23 intelektualësh.

Të dyshuarit ndodhen në paraburgim.

Sipas burimeve të emisionit MAT, tre nga katër të arrestuarit nuk janë deklaruar para policisë dhe kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje.

I katërti, sipas këtyre burimeve, përveç deklarimit, ka bashkëpunuar me organet e rendit dhe drejtësisë në identifikimin e lokacioneve të tri varrezave masive – dy në Kalludrën e Vogël dhe një në Jabukë të Zubin Potokut.

Pas 27 vjetësh, familjet e 23 të zhdukurve po marrin përgjigjet e para.

Emisioni MAT më Klan Kosova ka realizuar një edicion për këtë rast më 10 shtator të këtij viti. /klankosova