Kushtetuesja nuk gjen shkelje në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë “Kurti 4”
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja nuk gjen shkelje në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë “Kurti 4”

Aktuale September 23, 2026 - 14:56

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot lidhur me kërkesat e bashkuara të deputetëve të PDK-së, duke konstatuar se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës më 13 shtator nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në vendimin e marrë njëzëri, Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor, të përcaktuar me Nenin 66 të Kushtetutës, transmeton Zeri.info.

Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se kalimi i këtij afati ka shkaktuar fillimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rast se posti është vakant, si dhe për zgjedhjen e qeverisë.

Një nga pikat kryesore të vendimit është se Qeveria e zgjedhur më 13 shtator nuk e ka shkelur Nenin 95 të Kushtetutës.

Ndërkohë, Gjykata ka konstatuar se deputetët duhet “sa më parë” të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me Nenin 67 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese ka saktësuar edhe afatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Sipas vendimit, afati 60-ditor ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme, ndërsa ka vendosur që aktgjykimi t’u komunikohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Ky njoftim bazohet në dispozitivin e vendimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese; teksti i plotë i aktgjykimit pritet të publikohet sipas procedurave të përcaktuara. /Zëri