Sveçla: Fitorja në veri u arrit falë sakrificës së Afrim Bunjakut dhe qindra policëve të tjerë
Në Banjskë të Zveçanit është vendosur gur themeli i obeliskut të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Vendosja e tij u bë në trevjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, në sulmin terrorist serb.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla në fjalimin e tij tha se shteti ngadhnjeu përballë terroristëve serbë, falë sakrificës së Afrim Bunjakut dhe angazhimit të pakursyer të qindra policëve të tjerë.
Ai theksoi se qëllimi i terroristëve të mbështetur dhe financuar nga Serbia qëllim të vetëm kishin okupimin e një pjese të territorit të Kosovës.

"Kjo fitore, solli liri për këtë pjesë. Veriu i Kosovës tash frymon lirshëm dhe si rrjedhojë e kësaj ne kemi arritur që të zbulojmë edhe varreza masive, të identifikojmë persona të pagjetur, të zhdukur dhunshëm nga kriminelët atëherë, nga shteti kriminel serb i asaj periudhe", tha Sveçla para mediave.
