Çlirim Haziri: Institucionet nuk maten vetëm me deklarata, por me vendime

Çlirim Haziri: Institucionet nuk maten vetëm me deklarata, por me vendime

Aktuale September 24, 2026 - 22:27

Në sheshin e Prishtinës po mbahet nata e nëntë e protestës lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/a folur organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i cili në fillim të fjalimit ka kërkuar një minutë heshtje në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë.

“Vëllezër dhe motra! Para se ta ngremë zërin sonte, kemi një detyrim. Sot është 24 shtatori. Tre vjet më parë, në Banjskë, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Prandaj, në nderim të jetës dhe sakrificës së tij, ju ftoj të gjithëve: një minutë heshtje! Lavdi heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë atyre që ranë për Kosovën!”, tha ai.

Haziri më pas iu referua edhe gjashtëvjetorit të arrestimit dhe transferimit në Hagë të Salih Mustafës, duke e lidhur këtë me protestat e ditëve të fundit në Prishtinë.

“Vëllezër dhe motra, 24 shtatori mban edhe një datë tjetër. Sot janë bërë plot gjashtë vjet nga arrestimi dhe transferimi në Hagë i Salih Mustafës. Gjashtë vjet! Dhe sot, gjashtë vjet më vonë, Kosova ende po përballet me pasojat e këtij procesi. Ndërsa ne këtu… nëntë ditë! Nëntë ditë prej vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, vendim që ne e konsiderojmë thellësisht të padrejtë. Ata burra nuk i theu burgu. Nuk i theu largësia nga Kosova. Nuk i theu as vendimi. Por sonte pyetja është: çfarë po bëjmë ne?! Çfarë po bëjmë ne këtu në Kosovë? Çfarë po bëjnë institucionet tona? Çfarë po bën Kuvendi ynë? Sepse nuk mjafton t’u themi nga Prishtina: “Qëndroni të fortë!” Edhe ne duhet ta bëjmë pjesën tonë!”

Organizatori i protestës tha se vëmendja e tij këtë mbrëmje nuk ishte vetëm te zhvillimet në Hagë, por edhe te institucionet e Kosovës dhe mënyra se si ato po trajtojnë kërkesat e protestuesve.

“Dhe pikërisht për këtë, sonte nuk dua të flas vetëm për Hagën. Sonte dua të flas për Prishtinën! Nesër, në ora 11:00, mblidhet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E kemi para vetes rendin e ditës. Gjashtëmbëdhjetë pika! Komisione. Raporte. Udhëtime. Shpenzime. Por kërkesa për të cilën qytetarët po qëndrojnë në këtë shesh — nuk është aty! Dhe unë sonte kam vetëm një pyetje për ata që nesër do të ulen në atë sallë: a është apo nuk është urgjencë për ju kjo çështje? Nëse është — veproni! Nëse nuk është — dilni dhe tregojuni qytetarëve pse nuk është! Sepse nëse gjendet kohë për udhëtime e shpenzime, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: kur do të gjendet koha për kërkesat tona?”

Haziri tha se, sipas tij, institucionet nuk duhet të mjaftohen me deklarata, por duhet të marrin vendime lidhur me kërkesat e protestuesve.

“Nuk mjafton më të na thoni se na kuptoni. Nuk mjafton të thoni se jeni me UÇK-në. Institucionet nuk maten vetëm me deklarata. Institucionet maten me vendime! Dhe sonte po ua themi qartë: mos e provoni durimin e këtij sheshi! Mos mendoni se duke e shtyrë këtë çështje nga një mbledhje në tjetrën, ajo do të harrohet. Ne nuk kërcënojmë askënd. Por po ju paralajmërojmë qytetarisht: mos e matni vendosmërinë tonë me numrin e ditëve që kemi qëndruar këtu! Sepse nëse heshtja vazhdon, edhe reagimi ynë qytetar do të rritet.”

Organizatori deklaroi se protestuesit do t’i ndjekin kërkesat e tyre përmes, siç tha ai, mjeteve demokratike dhe ligjore.

“Nëse institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të qytetarëve, ne do t’i ndjekim ato kërkesa me çdo mjet demokratik dhe ligjor. Në Kuvend. Në Qeveri. Në çdo institucion që ka përgjegjësi. Dhe do t’ua bëjmë të njëjtën pyetje: çfarë po bëni?! Sepse ne nuk kërkojmë favore. Kërkojmë përgjigje!”

Haziri e përmbylli protestën me thirrje në nderim të dëshmorëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dhe sonte, nga ky shesh, përgjigjja jonë ndaj çdo vendimi që ne e konsiderojmë padrejtësi është: jo në emrin tim! Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kosova nuk harron! UÇK nuk është vetëm! Jo në emrin tim!”, shtoi ai.