Kuvendi i kryeqytetit voton krijimin e ndërmarrjes komunale “Pastrimi”, Rama: Një kapitull i ri fillon sot
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar krijimin e Ndërmarrjes Komunale “Pastrimi”, e cila do të menaxhojë shërbimin e pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë vendim si një prej vendimeve më të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit.
Përmes një reagimi, Rama ka thënë se Prishtina po kalon nga një kompani rajonale që menaxhonte shërbimin për gjashtë komuna, në një ndërmarrje të vetën komunale, transmeton Zeri.info.
“Prishtina po kalon në ndërmarrje të vetën, të Kryeqytetit, për Kryeqytetin dhe në shërbim të qytetarëve të tij”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, themelimi i ndërmarrjes së re paraqet fillimin e një sistemi të ri, përmes të cilit Prishtina do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për planifikimin, investimet dhe rritjen e kapaciteteve në menaxhimin e mbeturinave.
“Themelimi i kësaj ndërmarrjeje është fillimi i një sistemi të ri. Një sistem ku Prishtina planifikon vetë, investon vetë, rrit kapacitetet dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastërtinë e qytetit”, ka shkruar ai.
Rama e ka cilësuar votimin si një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, ndërsa ka falënderuar asambleistët që e mbështetën vendimin.
“Sot u votua për një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet dhe falënderoj të gjithë asambleistët që votuan për”, ka thënë Rama.
“Urime, Prishtinë! Një kapitull i ri fillon sot”, ka përfunduar ai. /Zëri