Akuza për ndërhyrje në 55 kompjutera të AKI-së, Muhamed Krasniqi para Gjykatës

Akuza për ndërhyrje në 55 kompjutera të AKI-së, Muhamed Krasniqi para Gjykatës

Aktuale September 23, 2026 - 12:43

Muhamed Krasniqi është paraqitur para Gjykatës nën akuzën se, si zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kishte ndërhyrë pa autorizim në sistemin kompjuterik të institucionit, duke krijuar qasje në të dhëna dhe dokumentacion të klasifikuar.

Sipas aktakuzës, veprimet që i ngarkohen janë kryer më 25 gusht dhe 7 shtator 2020, si dhe më 11 mars 2021, në selinë e AKI-së në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se Krasniqi kishte instaluar pa autorizim programin për monitorimin e kompjuterave “Net Monitor for Employees Pro”, nga i cili, sipas aktakuzës, ishin prekur 55 kompjutera të tjerë brenda selisë qendrore të agjencisë. Në dokument përmendet edhe instalimi i një skedari të programit “Veyon”.

Sipas akuzës, përmes këtyre ndërhyrjeve ishte krijuar qasje e paautorizuar në të dhënat që punonjësit e tjerë kishin në kompjuterat e tyre.

Krasniqi akuzohet se kishte keqpërdorur autorizimet si administrator i sistemit kompjuterik, përfshirë emrat e përdoruesve dhe fjalëkalimet që kishte të drejtë t’i përdorte për qëllime zyrtare.

Prokuroria pretendon se këto veprime kishin mundësuar qasje të paautorizuar në dokumentacion të klasifikuar dhe marrjen e dokumenteve e informacioneve nga kompjuterat e përdoruesve.

Për këto veprime, atij i ngarkohet vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Image

Këto janë pretendime të aktakuzës. Krasniqi prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë. /Sinjali