Protesta dje në disa komuna të Kosovës, sonte Prishtina për të 11-tën natë
As shiu nuk i ndali qytetarët që dje dolën në rrugë në disa komuna të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së organizoi protesta në qytete ku ka degë dhe struktura të saj.
Në mesin e protestuesve kishte veteranë të luftës, familjarë dhe qytetarë, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Protestat u mbajtën nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa në disa prej qyteteve protestuesit u përballën edhe me reshje shiu.
Në Prishtinë, protesta vazhdoi edhe mbrëmë, duke shënuar natën e dhjetë radhazi.
Ajo nisi në orën 21:00 dhe në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe figura të jetës politike e publike.
Protesta në kryeqytet do të vazhdojë edhe sonte.
Nga ora 21:00, qytetarët pritet të mblidhen sërish në Prishtinë, për natën e 11-të radhazi, me qëllimin e njëjtë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. /klankosova