Fruthi në Kosovë, tri raste po trajtohen në Klinikën e Infektivës

Fruthi në Kosovë, tri raste po trajtohen në Klinikën e Infektivës

Aktuale September 27, 2026 - 22:22

Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të fruthit që nga muaji maj.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri më tani janë konfirmuar mbi 170 raste.

Infektologët  thonë se pothuajse çdo ditë po paraqitet nga një rast i ri me fruth.

Sipas drejtoreshës së Klinikës së Infektives , Vera Berisha Ndrejaj aktualisht, tre pacientë janë të hospitalizuar në këtë klinikë.

“Për momentin kemi tre raste të spitalizuar, rastet e tjera janë lëshuar me rekomandim që të kthehen sipas nevojë sepse kanë kaluar fazën e infeksionit e nuk janë më në rrezik dhe ne i testojmë të gjitha rastet të cilat janë të dyshimta dhe sigurisht që të gjitha rastet që kanë nevojë për spitalizim  i spitalizojmë”, shprehet ajo.

Ndër të tjerash ajo bëri të ditur se personat e prekur nga fruthi ishin kryesisht ata që nuk janë vaksinuar.

“Pesha e kësaj sëmundje është shumë e rëndë sepse komplikimet janë shumë të rënda, janë të mundshme dhe si sëmundje është shumë kontagjenioze dhe një ambient ku është një pacient i sëmurë me morbill, propabilisht mund të sëmurën të gjithë ata persona që gjenden në atë ambient e që janë të pavaksinuar. Të gjitha rastet që i kemi pasur kanë qenë të pavaksinuar”, thotë drejtoresha e klinikës.

Ndërkohë, Bujar Vitia, gazetar i shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve dhe për informim më të madh të prindërve nga institucionet.

“Është shqetësuese dhe e rrezikshme sa i përket shëndetit të fëmijëve tanë, është krejt e pa përgjegjshme nga prindërit që të refuzojnë të i vaksinojnë fëmijët e tyre me vaksinën kundër fruthit sepse në këtë mënyrë e rrezikojnë shëndetin e tyre.  Konsideroj që duhet shumë më tepër me pas përpjekje prej institucioneve për me i informuar prindërit, drejt në mënyrë shkencore me argumente shkencore se kjo vaksinë nuk shkakton asnjë efekt anësor”, thotë ai.

Ai ka kërkuar që prindërit të informohen përmes argumenteve shkencore dhe të mos bien pre e dezinformatave rreth vaksinës./teve1