Rreth 20 mijë vizitorë dhe mijëra libra të shitur në Festivalin për Fëmijë
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë ka përmbyllur edicionin e katërt me rreth 20 mijë vizitorë gjatë katër ditëve, duke mbledhur fëmijë, familje dhe shkolla nga pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës.
Në aktivitetet e shumta të festivalit morën pjesë shkolla dhe grupe të organizuara nga komuna të ndryshme, ndërsa shumë fëmijë u shoqëruan nga prindërit e tyre. Sipas organizatorëve, bashkëpunimi mes shkollave dhe familjeve ndikoi edhe në rritjen e shitjes së librave.
“Ajo çka është më e mira, duket që bashkëpunimi shkollë me familje ka qenë në këtë rast mjaft i mirë, për shkak se thuajse prindërit u kanë dhënë disa mjete financiare fëmijëve që të paktën një libër ta kenë me vete pas përfundimit të vizitës në festival. Prandaj edhe shtëpitë botuese, komunikimin fillestar e kemi, janë mjaft të kënaqura me shpërndarjen dhe shitjen e librave natyrisht”, tha Agon Ahmeti, drejtor i organizatës “ETEA”.
Në edicionin e sivjetmë morën pjesë rreth 15 shtëpi botuese nga Kosova dhe rajoni. Përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe edukative, festivali synon të nxisë shprehinë e leximit te fëmijët dhe t’i afrojë ata me botën e librit.