Haxhiu: Do të qëndrojmë bashkë deri në lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas Deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Haxhiu ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi ishte një luftë e drejtë dhe se kjo e vërtetë nuk mund të zhbëhet nga një aktgjykim.
Ajo ka kërkuar që institucionet e Kosovës të veprojnë të bashkuara përmes një strategjie të përbashkët juridike dhe diplomatike, me qëllim që të mbrohet e vërteta dhe të paraqitet drejtësisht para opinionit ndërkombëtar lufta e popullit të Kosovës.
“Rruga drejt drejtësisë vazhdon përmes procesit të apelit”, ka theksuar Haxhiu, duke shtuar se institucionet do të qëndrojnë bashkë në këtë proces deri në, siç u shpreh ajo, “lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së”.
Deklarata vjen në një moment kur çështja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë pritet të vijojë në fazën e apelit.