Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Begaj: Institucionet nuk konkurrojnë

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Begaj: Institucionet nuk konkurrojnë

Aktuale September 28, 2026 - 14:57

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mblodhi sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe ndikimin e tyre në veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, ishin të ftuar edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale dhe masat që duhet të ndërmarrin institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe rritjen e besimit të publikut.

“Në takim u konkludua se: Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Lidhur me hetimet e nisura për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, Begaj thotë se Këshillit i Sigurisë theksoi se respektimi i pavarësisë së hetimeve të drejtësisë është i rëndësishëm dhe se hetimet duhet të zhvillohen tërësisht në mënyrë të pavarur dhe të respektohen nga të gjitha institucionet.

“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti dhe anëtarët e Këshillit nënvizuan nevojën që mosbesimi institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.

“Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zgjati rreth 1 orë e 30 minuta në Pallatin e Brigadave dhe erdhi pas shkarkimit të kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Kjo e fundit u vetëdorëzua më 22 shtator ndërsa aktualisht ndodhet në masën “arrest në shtëpi”. Ndaj Hysenit rëndojnë akuzat “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Dyshohet se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t./rtsh