Për vite me radhë e auditonte ZKA-ja, por pse Telekomi iu la auditorit privat më 2025?
Telekomi i Kosovës, i cili për pasqyrat financiare të vitit 2024 ishte audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe kishte marrë opinion të pamodifikuar, një vit më vonë nuk iu nënshtrua auditimit nga institucioni suprem i auditimit në vend.
Pasqyrat financiare të vitit 2025 u audituan nga kompania private “Nexia Kosovo”, ndërsa arsyeja pse ZKA nuk e auditoi Telekomin mbetet e pasqaruar, të paktën zyrtarisht.
KIKS Kosova ka kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit sqarime se përse Telekomi nuk është audituar nga ky institucion për vitin 2025, por ZKA nuk ka dhënë përgjigje.Jo zyrtarisht, KIKS-i ka mësuar se ZKA nuk e ka audituar Telekomin për shkak se për vitin 2024 kishte dhënë opinion të pamodifikuar.
Ndryshimi i auditorit solli edhe një rezultat tjetër. Përderisa për vitin 2024 ZKA kishte dhënë opinion të pamodifikuar, për vitin 2025 Nexia dha opinion të kualifikuar.
Rezerva e auditorit privat lidhet me një prej elementeve kryesore të pasqyrave financiare të Telekomit – të hyrat.
Në raportin e auditimit, Nexia konstaton se “Shoqëria nuk kishte model, proces, politika dhe metodologji të dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për aplikimin e kërkesave të IFRS 15 mbi kategoritë kryesore të të hyrave”.
Sipas auditorit, mungonte analiza e plotë dhe e dokumentuar e kontratave me klientët, obligimeve të performancës, mënyrës së ndarjes së çmimit dhe momentit kur regjistrohet e hyra. Problemi është veçanërisht i rëndësishëm për kontratat afatgjata dhe pakot që përmbajnë disa shërbime.Për shkak të kësaj, Nexia thotë se nuk ka mundur të përcaktojë nëse të hyrat, të arkëtueshmet tregtare dhe të hyrat e shtyra janë paraqitur drejt sipas IFRS 15, e as nëse do të nevojiteshin korrigjime.
Telekomi, megjithatë, mban qëndrim tjetër. Ndërmarrja thotë se e ka analizuar opinionin e auditorit, por nuk ka vlerësuar se duhet të bëjë korrigjime.
“Telekomi konsideron se pasqyrat financiare të publikuara janë në përputhje me IFRS dhe sigurisht që kemi analizuar opinionin e auditimit. Raporti i auditimit nuk ka kërkuar dhe as rekomanduar të ndërmerret ndonjë korrigjim në pasqyra, ndërsa Telekomi nuk ka vlerësuar se duhet ndërmarrë ndonjë korrigjim. Opinioni i auditimit nuk konstaton se të hyrat e raportuara nuk janë në përputhje me IFRS, por konstaton që në mungesë të metodologjisë të shkruar që siguron raportimin e të hyrave në përputhje me IFRS, nuk mundëson të përcaktoj efektin në të hyrat nëse një metodologji e tillë do të ekzistonte”, thuhet në përgjigjen e Telekomit për Kiks Kosova.