Tenda para Kuvendit, protestuesit paralajmërojnë qëndrim gjatë gjithë natës

Tenda para Kuvendit, protestuesit paralajmërojnë qëndrim gjatë gjithë natës

Aktuale October 05, 2026 - 00:09

Protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së u mbajt edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa një grup qytetarësh kanë paralajmëruar qëndrimin gjatë gjithë natës para Kuvendit të Kosovës.

Për këtë qëllim, tashmë janë vendosur edhe tendat para objektit të Kuvendit, ku protestuesit pritet ta kalojnë natën.

Protesta zhvillohet një ditë para se Kuvendi i Kosovës të mblidhet në seancë plenare, të hënën nga ora 09:00.

Në rendin e ditës së kësaj seance është paraparë si pikë e parë shqyrtimi i një projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ndërkohë, për të hënën janë paralajmëruar edhe dy protesta të tjera pranë Kuvendit.

Platforma “Jo në Emrin Tim” ka bërë thirrje për protestë nga ora 08:00, ndërsa në orën 09:00 protestë ka paralajmëruar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).

Protestat vijnë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin katër ish-krerë të UÇK-së u dënuan me burgim.